SOCIALE/Gjilani miraton subvencionimin për familjet strehuese

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar sot propozim-vendimin për subvencionimin e familjeve strehuese, duke e renditur Gjilanin si komunën e dytë në nivel vendi për nga lartësia e mbështetjes financiare në këtë kategori.

​Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, e cila tha se ky vendim paraqet një hap konkret dhe shumë të rëndësishëm në mbështetje të familjeve që ofrojnë kujdes dhe ambient familjar për fëmijët në nevojë.

​“Jam shumë e lumtur që sot, në Kuvendin Komunal të Gjilanit, kaloi propozim-vendimi për subvencionimin e familjeve strehuese. Ky vendim është më shumë se mbështetje financiare. Është vlerësim për familjet që marrin përsipër një përgjegjësi të jashtëzakonshme humane dhe një investim në mirëqenien, dinjitetin dhe të ardhmen e fëmijëve”, u shpreh Kadriu.

​Sipas vendimit të miratuar, mbështetja financiare mujore nga Komuna e Gjilanit përfshin 200 euro mbështetje bazë për familjen strehuese dhe 100 euro shtesë për çdo fëmijë të strehuar.

Kështu, mbështetja totale mujore arrin në 300 euro për familjen me një fëmijë, 400 euro për familjen me dy fëmijë dhe 500 euro për familjen me tre fëmijë.

​Ndërkaq, për familjet që strehojnë fëmijë me aftësi të kufizuara, subvencioni mujor përbëhet nga 200 euro mbështetje bazë për familjen dhe 200 euro shtesë për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara.

Kjo ndihmë financiare nga Komuna e Gjilanit u shtohet mjeteve që familjet strehuese tashmë i përfitojnë nga niveli qendror.

​Drejtoresha Kadriu ka falënderuar asamblistët për mbështetjen e vendimit dhe ka ftuar të gjitha familjet e interesuara që të lajmërohen pranë institucioneve përkatëse për t’u informuar rreth procedurave për t’u bërë familje strehuese./dita24h/

Shpërndaj me të tjerët