USHTRI/Nga luftëtar i lirisë te misionar i paqes, nënkolonel Bashkim Hamdiu përmbyll karrierën e lavdishme ushtarake

Nuk ka mision më të shenjtë se të jesh luftëtar në front dhe, me kurorëzimin e fitores, t’i shërbesh atdheut në mbrojtje të vlerës së lirisë e të paqes.

Me dije, vullnet e guxim, Bashkim Hamdiu ishte ndër të parët që iu bashkua rreshtit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkrah Komandantit e Heroit të Kombit, Abdullah Tahiri.

​Në Pashtrik, Drenicë e Karadak, ai mbetet shembulli i luftëtarit që nuk e zë lufta, por e kërkon atë, duke e konsideruar çdo pëllëmbë të territorit si pjesë shpirtërore të atdheut.

​Pas përfundimit të luftës, ai u bë misionar i paqes, duke u angazhuar në rrethanat e reja të transformimit të TMK-së dhe në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si një ushtri moderne me standarde të NATO-s.

​Në ceremoninë ushtarake të organizuar nga KDS në Ferizaj, në prani të Gjeneral Major Enver Cikaqit, Gjeneral Brigade Jeton Dreshaj, Gjeneral Brigade Sefer Isufi, kolegëve, familjeve të dëshmorëve e bashkëluftëtarëve, u vlerësua lart kontributi i Nënkolonel Hamdiut, duke i uruar ditëlindjen dhe pensionimin e merituar, për të vazhduar punën profesionale në jetën civile.

​Përveç kontributit të çmuar ushtarak, Bashkim Hamdiu, me origjinë nga Malisheva e Gjilanit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në misione humanitare.

Një dëshmi e guximit të tij ishte tërmeti i vitit 2002 në Gjilan, ku ai ishte ndër të parët që u ngjit në ndërtesat e larta për të shpëtuar jetë njerëzish, duke i larguar në krah të sëmurët dhe të moshuarit.

​“Faleminderit bashkëluftëtar Bashkim, për angazhimin në luftën për liri dhe misionin në mbrojtje të atdheut”, ka shkruar komandanti i tij, Ahmet Isufi.

Shpërndaj me të tjerët