MOTI / Kthesë e papritur e motit, nga dielli te stuhitë dhe breshëri, ja çka na pret këtë javë

Territori i Kosovës përgjatë javës së ardhshme do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të qëndrueshme me origjinë nga Evropa Qendrore dhe Verilindore, të cilat fillimisht do të sjellin mot të ngrohtë, por mesi i javës rezervon një kthesë të papritur atmosferike.

Nga dita e mërkurë pritet depërtimi i një fronti atmosferik që do të sjellë rrebeshe shiu, breshër dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.

Ditët e para të javës, e hënë dhe e martë, do të karakterizohen nga një mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta, ku temperaturat maksimale do të lëvizin nga 25 deri në 29°C, ndërsa era do të fryjë e lehtë nga veriperëndimi dhe verilindja me shpejtësi deri në 5 m/s.

Situata ndryshon drastikisht të mërkurën. Ndonëse dita nis me diell, pasdite vranësirat do të dendësohen duke sjellë reshje shiu, shkarkesa elektrike dhe mundësi për breshër në zona të izoluara.

Temperaturat minimale do të rriten në 13-17°C, ndërsa maksimalet do të prekin vlerat deri në 29°C, të shoqëruara me errë të fuqishme deri në 11 m/s.

Kjo situatë do të rëndohet të enjten, ku vranësirat e dendura do të sjellin rrebeshe të fuqishme shiu, shkarkesa elektrike dhe rrezik të shtuar për breshër në disa lokalitete. Si pasojë, temperaturat maksimale do të pësojnë një rënie të ndjeshme, duke u ndalur në 21 deri në 25°C.

Të premten pritet një stabilizim i lehtë, me diell e vranësira që mund të sjellin riga të dobëta shiu pasdite, teksa maksimalet do të ulen edhe më tej në 20 deri në 24°C për shkak të ajrit të freskët.

Ekspertët bëjnë thirrje për kujdes pasi indeksi UV do të jetë mjaft i lartë gjatë pjesës më të madhe të javës, andaj rekomandohet shmangia e ekspozimit në diell në mesditë.

Përkundër këtyre luhatjeve, kushtet biometeorologjike do të mbeten kryesisht të favorshme për shumicën e popullatës.

 

Shpërndaj me të tjerët