EFIKASITET / Adresuan kërkesat e qytetarëve, Ndërmarrja “Tregu” ndërhyn brenda ditës në Gjilan

Këshilltari komunal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Gjilan, Fadil Ademi, ka vlerësuar lart angazhimin dhe efikasitetin e punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu”, pas një ndërhyrjeje të shpejtë në terren.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij, Ademi ka bërë të ditur se pas adresimit të dy kërkesave konkrete në Departamentin e Hapësirave Publike, ekipet përgjegjëse kanë reaguar në kohë rekorde duke e përmirësuar gjendjen brenda ditës.

Ai ka theksuar se investimet dhe ndërhyrjet në dukje të vogla kanë një peshë të madhe për jetën e përditshme të banorëve të Gjilanit.

“Disa punë mund të duken të vogla, por rëndësia e tyre është e madhe për jetën e përditshme të qytetarëve. Puna e vazhdueshme dhe përkushtimi i ekipeve të punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Tregu’ në Gjilan meriton vlerësim dhe përkrahje.

Gjatë këtyre ditëve kam adresuar dy kërkesa në Departamentin e Hapësirave Publike dhe, falë reagimit të shpejtë të ekipeve në terren, gjendja u përmirësua brenda ditës”, ka deklaruar këshilltari komunal Fadil Ademi.

Ky bashkëpunim dhe reagim i shpejtë i ndërmarrjeve publike ndaj kërkesave të deleguara nga asamblistët po shihet si një hap pozitiv drejt rritjes së llogaridhënies dhe përmirësimit të infrastrukturës e hapësirave të përbashkëta në komunën e Gjilanit.

 

 

Shpërndaj me të tjerët