Asociacioni Alternativ i Shkrimtarëve të Kosovës, Ars Clubi “Beqir Musliu”, ka bërë të ditur agjendën e aktiviteteve kulturore që do të organizohen në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e shkrimtarit të shquar gjilanas, Beqir Musliu.
Ky përvjetor i 81-të i lindjes së tij përkon në mënyrë simbolike edhe me 30-vjetorin e ndarjes nga jeta (kalimit në amshim).
Aktivitetet nisin nesër (e enjte), në orën 11:00, ku përfaqësues të Ars Clubit do të bëjnë homazhe te varrezat e qytetit në Gjilan për të vendosur një buqetë lulesh pranë varrit të shkrimtarit.
Publikimi i revistës “AGMIA” dhe përurimi i veprës studimore
Veprimtaritë letrare do të zhvendosen në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Qytetit “Fan S. Noli”, në koordinim të plotë me menaxhmentin e këtij institucioni:
Më 13 qershor 2026 (ora 12:00): Do të bëhet prezantimi i numrit më të ri të revistës prestigjoze letrare “AGMIA”. Ky numër special i dedikohet tërësisht figurës së Beqir Musliut, duke përfshirë materialet e vyera nga tryeza letrare e “Flakës së Janarit”, si dhe shkrime të tjera kritike e studimore mbi krijimtarinë e tij unike.
Më 20 qershor 2026 (ora 12:00): Do të përrurohet monografia dhe vepra më e re studimore e autorit Shefqet Dibrani, e titulluar “Artistikja në veprën ‘Orfeiana’ të Beqir Musliut”. Ky libër i rëndësishëm studimor është edituar këtyre ditëve nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”.
Arsdashësit, krijuesit letrarë dhe qytetarët e Gjilanit janë të mirëpritur t’u bashkohen këtyre ngjarjeve që lartësojnë trashëgiminë letrare të një prej penave më të fuqishme të botës shqiptare.
Vlen të theksohet se portreti i njohur i shkrimtarit Beqir Musliu, që shoqëron këto manifestime, është realizuar nga piktori i shquar, Demush R. Avdimetaj.

