Për të gjithë ata që e kanë harruar historinë ose për gjeneratat që kanë lindur pas luftës, një nga ngjarjet më të trishtueshme dhe më makabre ka ndodhur në Gjilan, saktësisht afër xhamisë së vogël te Dermahalla.
Këtë fakt tronditës e ka rikujtuar Ismet Sylejmani, ish-zëdhënës i UÇK-së për Zonën Operative të Karadakut, duke bërë publike një informatë zyrtare të asaj kohe, të lëshuar saktësisht më 16 qershor 1999 nga Sokol Gashi.
Në ditën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e prirë nga Komandanti i Shtabit të ZOK-ut, Ahmet Isufi – Rexha, po hynte triumfalisht në qytetin e Gjilanit, gëzimi dhe dashuria e popullit ishin të jashtëzakonshme.
Sheshet dhe rrugët ishin mbushur plot me njerëz që brohoritnin për ushtrinë çlirimtare, Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe Kryeministrin Hashim Thaçi.
Thirrjet për të dalë e për të pritur luftëtarët e lirisë, që po çonin në vend amanetin e dëshmorëve Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Zija Shemsiu, gjëmonin me madhështi në tërë qytetin.
Mirëpo, kësaj atmosfere festive e plot lot gëzimi, këngë e vaj, një akt kriminal serb i dha një kuptim jashtëzakonisht të zymtë.
Sipas informatës zyrtare të Shërbimit për Informim Publik të Zonës Operative të Karadakut, personi që hodhi bombën dhe plagosi rëndë 16 fëmijë shqiptarë afër xhamisë së vogël në Gjilan, ishte krimineli serb Dragan Shopi nga fshati Shillovë.
Po ashtu, në këtë informatë të datës 16 qershor 1999, potencohej se forcat franceze të NATO-s po mbanin të bllokuar një numër të madh të ushtarëve të UÇK-së në mes të fshatrave serbe Budrikë dhe Pasjan, duke ndërlikuar edhe më tej situatën e sigurisë në ditët e para të lirisë.

