TEKNOLOGJI/ Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim synon modernizimin përmes transformimit digjital

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim merr pjesë në punëtorinë për transformim digjital

Përfaqësues të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë marrë pjesë në punëtorinë me temë “Transformimi Digjital dhe Zgjidhjet e Mençura Komunale”, të organizuar nga Cacttus Education.

Ky aktivitet kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe shkëmbimin e përvojave lidhur me përdorimin e teknologjisë dhe inovacionit në institucionet publike.

Gjatë punëtorisë u prezantuan praktika dhe modele bashkëkohore të transformimit digjital, të cilat synojnë përmirësimin e ofrimit të shërbimeve komunale, rritjen e efikasitetit në punë, transparencën institucionale dhe komunikimin më të shpejtë me qytetarët.

Po ashtu, u diskutua për rolin e zgjidhjeve të mençura komunale në krijimin e një administrate më moderne dhe më të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

Përfaqësuesit e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim kontribuan në diskutime duke ndarë përvojat dhe sfidat e hasura në fushën e menaxhimit të emergjencave, mbrojtjes civile dhe reagimit ndaj fatkeqësive natyrore.

Në fokus të veçantë ishte rëndësia e përdorimit të teknologjive digjitale për monitorimin e rreziqeve, menaxhimin e informacioneve në kohë reale, koordinimin ndërinstitucional, si dhe përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit dhe reagimit emergjent.

Pjesëmarrja në këtë punëtori paraqet një mundësi të vlefshme për ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit dhe për identifikimin e praktikave të reja që mund të kontribuojnë në modernizimin e proceseve të punës dhe forcimin e sigurisë së qytetarëve.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim mbetet e përkushtuar në ndjekjen e zhvillimeve bashkëkohore dhe në përfshirjen e zgjidhjeve inovative që ndihmojnë në rritjen e gatishmërisë dhe efikasitetit institucional.

 

Shpërndaj me të tjerët