Sulmuesi i krahut nga Kaçaniku, Veton Tusha, ka falënderuar zyrtarisht skuadrën e Dritës dhe tifozët e saj, pas përmbylljes së një rrugëtimi dyvjeçar me klubin gjilanas. Tusha, i cili tashmë është transferuar në kampionatin slloven te skuadra e Celjes, ka zgjedhur t’i drejtohet komunitetit bardhekaltër me një mesazh falënderues, duke i vlerësuar këto dy vite si ndër më të bukurat e karrierës së tij.
Përmes një postimi, ai ka kujtuar emocionet, sakrificat dhe sukseset e përbashkëta, duke veçuar shpalljen kampion për herë të dytë radhazi, si dhe paraqitjet historike në garat evropiane.
Tusha ka theksuar se FC Drita për të ka qenë një familje e dytë ku ka gjetur hapësirën për t’u rritur profesionalisht.
Në mesazhin e tij lamtumirës, futbollisti ka shprehur mirënjohje të thellë për kryesinë e klubit, stafin teknik, bashkëlojtarët, stafin mjekësor dhe ekonomët e skuadrës.
Një falënderim të veçantë ai ua ka dedikuar edhe tifozëve “Intelektualët” për mbështetjen e pandalshme që i kanë dhënë gjatë kohës sa mbajti veshur fanellën e klubit nga Gjilani.

