SPORT/ SC Gjilani ndan rrugët me Astrit Thaqin dhe Agron Kolajn

Skuadra e Gjilanit ka filluar ndryshimet në përbërjen e ekipit pas përfundimit të sezonit 2025/26, duke njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me dy futbollistë, mbrojtësin Astrit Thaqi dhe portierin Agron Kolaj.

Përmes një komunikate për media, klubi kuqebardh ka bërë të ditur se mbrojtësi 33-vjeçar nga Drenasi, Astrit Thaqi, nuk do të jetë më pjesë e skuadrës për shkak të skadimit të kontratës.

Thaqi iu bashkua Gjilanit në verën e vitit 2025 dhe gjatë kësaj periudhe regjistroi 24 paraqitje zyrtare, duke kontribuar edhe me një asistim. Klubi ka shprehur mirënjohje të lartë për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar nga mbrojtësi gjatë këtij edicioni.

Po ashtu, nga skuadra është larguar edhe portieri Agron Kolaj, të cilit i ka përfunduar afati i huazimit nga FC Prishtina.

‘Gardiani’ Kolaj u bë pjesë e Gjilanit në janar të këtij viti, duke mbrojtur portën e skuadrës në 13 ndeshje kampionale dhe në dy takime në kuadër të Kupës së Kosovës.

Zyra për media e SC Gjilanit ka falënderuar të dy futbollistët për kontributin e dhënë me fanellën kuqebardh, duke u uruar atyre shëndet dhe suksese në vazhdimësinë e karrierës profesionale, si dhe ka falënderuar klubin e Prishtinës për bashkëpunimin e treguar në rastin e portierit Kolaj.

 

Shpërndaj me të tjerët