KULTURË / Masakra e Tivarit në dritën e kërkimeve të reja

Studiuesi letrar Begzad Baliu vlerëson se Masakra e Tivarit mbetet një nga plagët më të rënda dhe më pak të zbardhura të historisë së shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore.

Në analizën e tij për librin “Masakra e Tivarit (Gjenocid kundër shqiptarëve)” të profesorit Nail Draga, Baliu thekson se kjo vepër përbën një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e krimit dhe në pasurimin e historiografisë shqiptare me dëshmi, dokumente dhe analiza të reja.

Ai kujton se për dekada me radhë kjo ngjarje është mbajtur në heshtje, ndërsa dëshmitarët dhe dokumentet janë lënë në harresë ose janë penguar të bëhen pjesë e debatit shkencor.

Sipas Baliut, përpjekjet për zbardhjen e së vërtetës kanë nisur që në fund të viteve ’80 dhe kanë vazhduar me punën e studiuesve të shumtë, por ende mungon qasja në dokumentet kryesore arkivore.

Në shkrimin e tij, Baliu nënvizon se e vërteta e plotë për Masakrën e Tivarit do të mund të dalë në dritë vetëm pasi të hapen arkivat ushtarake dhe politike të ish-Jugosllavisë, arkivat e Shqipërisë, si dhe dokumentet që ruhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Britaninë e Madhe.

Ai e konsideron këtë jo vetëm një detyrim shkencor, por edhe një përgjegjësi historike e morale ndaj mijëra viktimave dhe brezave që kërkojnë të vërtetën.

Në përmbyllje, Baliu shpreh bindjen se botime të tilla si ai i profesorit Nail Draga janë një hap i rëndësishëm drejt ndriçimit të kësaj tragjedie dhe shpreson që kërkimet e ardhshme të sjellin dokumente të reja, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen përfundimtare të një prej krimeve më të rënda të kryera ndaj shqiptarëve.

Shpërndaj me të tjerët