EKONOMI | Fitim Basha, historia e emigrantit që i ktheu sfidat në sukses në Gjermani

Historia e Fitim Bashës është dëshmi se këmbëngulja dhe puna e palodhshme mund të shndërrojnë sfidat në sukses.

Me origjinë nga fshati Koretin i Kamenicës, ai sot drejton me shumë sukses auto shkollën “Fahrschule Vision” në Bad Camberg të landit Hessen në Gjermani.

Rrugëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë. Fillimisht nisi studimet për Arkitekturë, por vështirësitë ekonomike e detyruan t’i ndërpriste.

Më pas vazhdoi studimet në Juridik, derisa lufta e vitit 1999 i ndërpreu përfundimisht ëndrrat për shkollim në Kosovë, duke e shtyrë të emigrojë në Gjermani.

Pas shumë vitesh pune në profesione të ndryshme, Fitim Basha vendosi të ndjekë një rrugë të re.

Ai u kualifikua si instruktor i vozitjes dhe, falë përkushtimit, përfundoi me sukses edhe trajnimet për instruktorë të rinj.

Sot ai është themelues i auto shkollës familjare “Vision”, ku punon së bashku me djalin Diar, vajzën Viola, e cila drejton administratën, ndërsa bashkëshortja Flora kujdeset për financat dhe kontabilitetin.

Gjatë karrierës së tij, Fitim Basha ka trajnuar me sukses mbi 800 kandidatë, duke fituar besimin jo vetëm të komunitetit shqiptar, por edhe të qytetarëve gjermanë.

“Të jesh instruktor është një përgjegjësi e madhe. Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa të shohësh kandidatin të largohet i kënaqur dhe i përgatitur për të vozitur i sigurt”, thotë ai.

Suksesi i familjes po vazhdon edhe me brezin e dytë. Djali i tij, Diar Basha, është licencuar si instruktor në moshën vetëm 21-vjeçare, një arritje e rrallë në Gjermani, ku kriteret për këtë profesion janë shumë të rrepta.

Përveç profesionit, Fitim Basha ushqen edhe një pasion të veçantë për fotografinë, duke dëshmuar se përkushtimi ndaj detajeve e shoqëron si në rrugë, ashtu edhe në art.

Për shkak të kërkesave gjithnjë e më të mëdha, auto shkolla “Vision” pritet të zgjerohet në të ardhmen e afërt.

Në fund, Fitim Basha përcjell një mesazh për të gjithë drejtuesit e automjeteve:

“Respektoni rregullat e komunikacionit. Me veturën nuk ka lojë, çdo sekondë duhet të jeni të përqendruar në vozitje.”

 

 

Shpërndaj me të tjerët