POLITIKË LOKALE/ Bllokohet seanca e Kuvendit Komunal në Gjilan, Hyseni akuzon PDK-në për uzurpim të institucionit

Seanca e rregullt e Kuvendit Komunal të Gjilanit është ndërprerë pasi këshilltarët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) bllokuan foltoren, duke kërkuar që në rend dite të përfshihej raporti gjashtëmujor i punës së kryetarit të komunës, Alban Hyseni.

Këshilltari i PDK-së, Bujar Nevzati, deklaroi se kanë kaluar gjashtë muaj dhe se kryetari nuk ka paraqitur raportin për vitin 2025.

Ai kërkoi që kjo pikë të futet në rend të ditës, por kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi Kqiku, tha se propozimi nuk kishte marrë votat e nevojshme dhe kërkoi lirimin e foltores për vazhdimin e seancës.

Pasi shpalli pesë minuta pauzë për konsultime, përfaqësuesit e PDK-së nuk e liruan foltoren, duke bërë që seanca të ndërpritet përkohësisht.

Pas zhvillimeve në seancë, ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i cilësoi veprimet e PDK-së si uzurpim të institucionit dhe pengim të dhunshëm të punës së Kuvendit.

Postimi i plotë i Alban Hysenit:

Uzurpatorët bllokues të dhunshëm

Ajo që ndodhi sot në seancën e rregullt të Kuvendit Komunal të Gjilanit nuk ishte opozitarizëm, por uzurpim i institucionit dhe pengim me dhunë i punës së Kuvendit nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Tërheqja me forcë e mikrofonit dhe mjeteve të punës, si dhe skena ku katër burra ushtrojnë presion ndaj një gruaje të vetme, Kryesueses së Kuvendit të Komunës, Krenare Latifi Kqiku, janë të papranueshme në çdo standard demokratik. Këto veprime nuk përfaqësojnë debat politik, por tentativë për ta zëvendësuar fjalën me forcën.
Qytetarët e Gjilanit nuk na kanë zgjedhur për të parë bllokada e dhunë. Na kanë zgjedhur për të marrë vendime, për të punuar dhe për t’u shërbyer atyre.
Institucionet nuk do t’i dorëzohen uzurpatorëve. Puna për Gjilanin do të vazhdojë me vendosmëri, në respekt të ligjit, demokracisë dhe dinjitetit të çdo përfaqësuesi të zgjedhur.

Shpërndaj me të tjerët