TRASHËGIMI KULTURORE/“A keni me kallajit tepsia-kusia?” – Zeja e harruar e kazanxhinjve dhe kallajxhinjve në Gjilan

Punimi i bakrit dhe kallajisja e enëve dikur ishin ndër zanatet më të rëndësishme në Gjilan, ndërsa mjeshtrit që thërrisnin nëpër rrugët e qytetit “A keni me kallajit tepsia-kusia?” ishin të njohur si kallajxhinj.

Me përpunimin e bakrit merreshin kazanxhinjtë, të cilët prodhonin enë të ndryshme shtëpiake dhe për treg, si kazanë, kusi, tepsi, sini, sahanë, legenë, gjygymë, tava bakri dhe xhezve. Për punën e tyre përdornin bakër, kallaj, nishadër (kripë amoniaku), acid dhe pambuk, materiale që siguroheshin nga Prizreni, Shkupi, Selaniku dhe qytete të tjera.

Sipas të dhënave historike, një nga kazanxhinjtë më të hershëm në Gjilan ishte Anta Goga, një vlleh (cincar) i ardhur nga Prizreni në shekullin XIX.

Në vitin 1914 qyteti kishte tre dyqane të kazanxhinjve-kallajxhinjve, ndërsa mes dy luftërave botërore vepronin dy të tillë, ku përmenden Todor Saviq-Goga dhe Rista Trajkoviq.

Pas Luftës së Dytë Botërore, zeja nisi të zbehej. Deri në vitin 1977 në Gjilan funksiononte vetëm një dyqan kazanxhiu në Qendrën Zejtare. Pas vdekjes së Todor Gogës, zanatin e vazhdoi djali i tij, Qeda Goga, farmacist me profesion, i cili njëkohësisht punonte edhe në dyqanin e trashëguar nga i ati. Ai konsiderohet kazanxhiu i fundit i Gjilanit.

Ngushtë me këtë zanat ishte e lidhur edhe zeja e kallajxhinjve, të cilët kallajisnin enët e bakrit dhe bronzit, si dhe riparonin enët e dëmtuara. Shumica e tyre ishin romë ortodoksë, por kishte edhe romë myslimanë.

Ata punonin kryesisht si mjeshtër shëtitës, duke lëvizur nëpër qytet e fshatra me kuaj ose mushka dhe duke kallajisur enët në oborret e shtëpive. Shpesh, për punën e tyre shpërbleheshin me ushqime në vend të parave.

Në fillim të shekullit XX, në Gjilan punonin tre dyqane të kallajxhinjve, ndërsa pas vitit 1945 deri më 1962 janë regjistruar 29 kallajxhinj me leje pune, edhe pse vetëm tre prej tyre kishin dyqanet e veta.

Sot, këto zeje pothuajse janë zhdukur, duke mbetur pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historisë së qytetit të Gjilanit.

Burim: Libri “Zejtaria e Gjilanit”. Faik Zyazade

Shpërndaj me të tjerët