Ka ndërruar jetë në moshën e pleqërisë intelektuali dhe profesori i njohur nga Pogragja e Gjilanit, Prof. Dr. Nuhi Rexhepi.
Lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit, duke e kujtuar atë si një njeri të urtë, me fjalë të matur dhe me një zemër të madhe.
Prof. Dr. Nuhi Rexhepi, i cili jetonte dhe vepronte në Prishtinë, la pas vete një karrierë të pasur dhe të bujshme akademike e shkencore.
Ai shërbeu për vite me radhë si profesor në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku kreu edhe detyra të larta drejtuese si shef i Degës së Letërsisë, zëvendësdekan dhe dekan i këtij fakulteti, si dhe anëtar i Senatit të UP-së e anëtar i Bordit të UP-së.
Kontributi i tij në arsim dhe media ishte i gjerë, duke shërbyer edhe si anëtar i Bordit të Drejtorëve të RTK-së, dekan në Kolegjin “Pjetër Budi”, si dhe ligjërues për dy vite në Universitetin e Tetovës.
Përveç veprimtarisë akademike, profesori Rexhepi në rininë e tij kishte qenë edhe një sportist i dalluar, duke luajtur si hendbollist për skuadrën “Normalisti” të Prishtinës, me të cilën u shpall tri herë kampion i Kosovës.
Në njoftimin e tyre prekës, familjarët kanë shkruar: “Axha Nuhi, i miri e i urti, ndërroi jetë sot. Do ta kujtojmë gjithmonë për zemrën e tij të mirë, fjalën e matur dhe qetësinë që sillte pranë nesh. U prehsh në paqe, Axha Nuhë.”
Ceremonia e varrimit do të mbahet më 9 korrik 2026, në ora 16:45, në Varrezat e Qytetit të Prishtinës, në Arbëri.
