SHËNDETËSI/ Ofrohen këshilla dhe shërbime shëndetësore falas për qytetarët gjilanas

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, në bashkëpunim me projektin AQH (Accessible Quality Healthcare) dhe KOPF (Kosova Population Foundation), fton të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e Karvanit Shëndetësor të titulluar “PërSHËNDETje”.

Ky aktivitet i rëndësishëm ndërgjegjësues do të mbahet të mërkurën, më 15 korrik 2026, nga ora 11:00 deri në 14:00, në sheshin “Agim Ramadani” (para Teatrit të Qytetit) në Gjilan.

Gjatë këtij aktiviteti, qytetarët gjilanas do të kenë mundësinë të përfitojnë drejtpërdrejt nga një varg shërbimesh pa pagesë, si:këshilla dhe informata të hollësishme për promovimin e shëndetit; edukim dhe udhëzime profesionale për aktivitetin fizik, rreziqet nga duhani e alkooli, ushqyerjen e shëndetshme dhe menaxhimin e mbipeshës; shërbime dhe këshillime të drejtpërdrejta nga mjekët dhe profesionistët shëndetësorë.

Në shenjë mikpritjeje dhe për të promovuar stilin e shëndetshëm të jetesës, në përfundim të aktivitetit për të gjithë pjesëmarrësit do të ofrohen ushqim dhe pije falas.

“Bashkohuni me ne për një jetë më të shëndetshme!”, thuhet në ftesën e QKMF-së drejtuar qytetarëve të Gjilanit.

 

Shpërndaj me të tjerët