BASHKËPUNIM / Nënshkruhet memorandumi ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe Rrjetit të Grave të Kosovës

Komuna e Gjilanit dhe Rrjeti i Grave të Kosovës kanë zyrtarizuar një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi, me qëllim forcimin e mekanizmave institucionalë në parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore.

Memorandumi u nënshkrua nga Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit, Mimoza Kadriu Qerimi, dhe Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Nicole Farnsworth.

Përmes këtij akti, të dyja palët synojnë fuqizimin e Mekanizmit Koordinues Lokal për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, si dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e këtyre rasteve.

Ky bashkëpunim pritet të sjellë një përmirësim të ndjeshëm në koordinimin ndërinstitucional, duke ofruar një mbështetje më të integruar dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha viktimat e dhunës.

Me këtë rast, nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale u ritheksua se Komuna e Gjilanit mbetet plotësisht e përkushtuar për hartimin e politikave dhe ofrimin e shërbimeve që garantojnë mbrojtje, dinjitet dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj pa dallim.

 

Shpërndaj me të tjerët