KULTURË / Saranda Bogujevci dhe Alban Hyseni vizitojnë Muzeun Etnologjik e Galerinë KNOW

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka mirëpritur sot në një vizitë zyrtare Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, me të cilën ka diskutuar për një varg projektesh të përbashkëta në fushën e kulturës dhe turizmit lokal.

Gjatë këtij takimi, kreu i Gjilanit dhe ministrja Bogujevci vlerësuan lart rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për skenën kulturore gjilanase dhe koordinimin e hapave për zhvillimin e mëtutjeshëm të turizmit në këtë rajon.

Pas takimit, ata vizituan Muzeun Etnologjik të qytetit dhe Galerinë “KNOW”. Në këtë të fundit, patën rastin të ndjekin nga afër ekspozitën personale mjaft mbresëlënëse të artistit të njohur gjilanas, Din Azizi, të titulluar “Hektar i Kohës”.

Kjo ekspozitë, e cila përmbledh mbi 26 vite krijimtari artistike përmes më shumë se 100 veprave në performancë, instalacion, video-art, pikturë, skulpturë, fotografi dhe art digjital, u vlerësua si një dëshmi e gjallë e potencialit të madh që ka qyteti.

Kryetari Alban Hyseni ka bërë të ditur se bashkëpunimi i ngushtë me nivelin qendror dhe fuqizimi i artistëve lokalë do të mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisjes së tij, me qëllim pasurimin e vazhdueshëm të jetës kulturore në Gjilan.

 

Shpërndaj me të tjerët