INFRASTRUKTURË/ Mbyllet për qarkullim segmenti nga Hoteli “Kristal” deri te Teatri i Qytetit në Gjilan

​Qendra e qytetit të Gjilanit po hyn në një fazë të rëndësishme transformimi infrastrukturor.

Për shkak të fillimit të punimeve në projektin e integruar që përfshin ndërtimin e Bulevardit, sheshit të ri dhe parkingut nëntokësor, një nga segmentet kryesore rrugore do të jetë i mbyllur për qarkullimin e automjeteve.

​Njoftimi është bërë i ditur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Sipas tij, bllokimi do të përfshijë segmentin nga rrethrrotullimi te Hoteli “Kristal” e deri te Teatri i Qytetit. Kjo masë hyn në fuqi nga dita e nesërme dhe do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e plotë të punimeve për këtë projekt madhor.

​Komuna e Gjilanit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe ngasësve të automjeteve që të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor dhe të shfrytëzojnë rrugët alternative, duke kërkuar njëkohësisht mirëkuptimin e tyre gjatë kohëzgjatjes së punimeve.

Shpërndaj me të tjerët