SIGURI/Policia në Gjilan ashpërson kontrollet gjatë natës

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka njoftuar se po vazhdon me aktivitete të shtuara në teren, me fokus të veçantë parandalimin dhe identifikimin e rasteve të shkaktimit të zhurmës gjatë orëve të natës.

​Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të realizuara, zyrtarët policorë kanë evidentuar disa raste të mosrespektimit të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, njësitet policore kanë shqiptuar pesë (5) gjoba për personat që kanë shqetësuar banorët gjatë natës.

​Policia e Kosovës bën të ditur se këto kontrolle do të vazhdojnë me intensitet të shtuar edhe në ditët në vijim përmes patrullimeve të vazhdueshme dhe reagimit ndaj çdo ankese të qytetarëve.

​Ata paralajmërojnë se do të ndërmerren masa të rrepta ligjore ndaj secilit person fizik apo subjekt afarist që cenon qetësinë publike.

Shpërndaj me të tjerët