ARSIM/ Kush është vajza e Heroit Kombëtar, Rexhep Malaj, që mori timonin e Universitetit “Kadri Zeka”?

Bordi i Universitetit “Kadri Zeka” (UKZ) në Gjilan ditë më parë  ka vlerësuar se Prof. Ass. Dr. Fitore Malaj është një nga personalitetet më të përgatitura për të marrë udhëheqjen e këtij institucioni të arsimit të lartë në pozitën e Ushtrueses së Detyrës së Rektores, duke çmuar përvojën e saj të gjatë akademike, administrative dhe drejtuese.

Nga mësimdhënësja e përkushtuar te gradat më të larta shkencore

​Fitore Malaj hapat e parë të shkollimit i kreu në Gjilan, ku përfundoi shkollën fillore dhe të mesme.

E udhëhequr nga dashuria e madhe për profesionin e mësimdhënies, ajo përfundoi studimet në Fakultetin e Edukimit në Gjilan.

Menjëherë pas diplomimit, ajo nisi karrierën e saj si mësuese në shkollën fillore “Thimi Mitko” në Gjilan.

Gjatë punës së saj në këtë institucion, ajo u shqua për përkushtim të lartë, duke gëzuar dashurinë e nxënësve si dhe respektin e thellë të kolektivit dhe prindërve.

​Paralelisht me punën fisnike në arsimimin e brezave të rinj, ajo nuk ndali ngritjen profesionale.

Me përkushtim të jashtëzakonshëm, vazhdoi studimet pasuniversitare duke përfunduar magjistraturën dhe më pas doktoraturën, duke marrë titullin Doktor i Shkencave në fushat e edukimit.

Përvoja institucionale dhe drejtuese në UKZ

​Sot, Prof. Ass. Dr. Fitore Malaj është profesoreshë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin “Kadri Zeka” (UKZ).

Kontributi i saj në këtë universitet është i gjatë dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e institucionit.

Për gjashtë vjet me radhë, ajo ka ushtruar detyrën e Drejtoreshës së Zyrës për Zhvillim Akademik dhe Cilësi, duke udhëhequr me sukses proceset kryesore të sigurimit të cilësisë dhe ngritjes akademike në nivel institucional.

​Ajo ka qenë anëtare themeluese dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Universitetit “Kadri Zeka” për pesë vjet, ku dha një kontribut të çmueshëm në ngritjen e strukturave qeverisëse dhe konsolidimin e strategjive zhvillimore të universitetit.

Trashëgimi e dinjitetshme kombëtare

​Fitore Malaj është bija e Heroit Kombëtar, Rexhep Malaj, çka shton edhe më shumë peshën e përkushtimit dhe integritetit të saj në shërbim të arsimit dhe shoqërisë.

​Njohja e thellë e funksionimit të brendshëm të Universitetit “Kadri Zeka” dhe e gjithë sistemit të arsimit të lartë në Kosovë e bën atë një kandidate me bazë mjaft të fortë profesionale për të marrë përsipër udhëheqjen e këtij institucioni në rolin e u.d. rektores.

Shpërndaj me të tjerët