KULTURË/ Këpucëtarët e Gjilanit, historia e një zeje dhe anekdota me ngjitës

​Zanati i kundraxhinjve apo këpucëtarëve ka qenë një nga të vetmit që pati jetë të gjatë në qytetin e Gjilanit.

Përveç punës me dorë, dyqanet e tyre, ashtu si ato të berberëve, shërbenin si qendra të vërteta sociale ku qytetarët e çmalleshin, diskutonin për ecurinë e qytetit dhe shkëmbenin anekdota mbi kafe e cigare.

Nga lëkura e kafshëve te përpunimi modern

​Në fillimet e saj, kjo zeje prodhonte kryesisht mbathje prej lëkure lope e bualli në formë opingash, e më vonë edhe nga llastiku.

Hov të madh zanati mori para Luftës së Dytë Botërore, kur mjeshtrit filluan prodhimin e këpucëve moderne sipas porosisë për meshkuj, femra dhe fëmijë.

Të gjitha proceset realizoheshin me dorë, ndërsa lëkura sigurohej nga tabakët (lëkurëpunuesit) e qytetit.

​Në fillim të shekullit XX, Gjilani numëronte 12 dyqane këpucëtarësh. Megjithatë, me kalimin e kohës dhe veçanërisht me hyrjen e produkteve industriale me çmime më të lira, numri i tyre u zvogëlua dukshëm.

Sot, shumica e këtyre ambienteve janë shndërruar në shitore specializuese ose në punishte të vogla për riparimin e këpucëve.

Anekdota e njohur: “Samuni me mazë”

​Përditshmëria në dyqanet e këpucëtarëve shoqërohej shpesh me ngjarje komike. Një nga tregimet më të njohura ndërlidhet me dy mjeshtër që po hanin mëngjes:

​Teksa po shijonin një “samun me mazë”, pranë dyqanit kalon një fshatar i cili i pyet se çfarë po hanin.

Mjeshtrit, për t’u tallur, i blejnë një samun por në vend të mazës i hedhin dy lugë ngjitës këpucësh me ngjyrë të bardhë. Fshatari e ha me apetit dhe largohet.

​Të zënë nga meraku se mos fshatari u helmua, pasi ai nuk u duk për një kohë të gjatë në sheher, këpucëtarët u lehtësuan kur ai u rikthye shëndosh e mirë.

Kur e pyetën për shëndetin, ai u përgjigj se lukthi i punonte “si sahati Serkisuf” dhe i pyeti me ëndje:

A keni edhe sot samun me mazë si atë ditë?!”,  pyetje kjo që i la të dy mjeshtrit pa fjalë.

​Detaje të tjera mbi historikun, emrat e këpucëtarëve të hershëm dhe vendndodhjen e dyqaneve të tyre mund t’i gjeni në librin “Zejtaria e Gjilanit”, i cili gjendet në libraritë kryesore në Gjilan dhe Prishtinë.

Shpërndaj me të tjerët