KULTURË/ Mejtepi i Zarbicës, objekti historik që kërkohet të përfshihet në renovim

Mësuesi në pension nga Zarbica me banim në Gjilan, Ismet Shabani, i ka bërë thirrje grupit nismëtar për renovimin e xhamisë së fshatit Zarbicë që në kuadër të këtij projekti të përfshihet edhe objekti i Mejtepit, për shkak të vlerave të tij të shumta historike dhe arsimore.

Kjo ide ka gjetur mbështetje të gjerë edhe nga shumë bashkëfshatarë të tij, të cilët po ashtu vlerësojnë rëndësinë e ruajtjes së kësaj trashëgimie.

​Përmes një reagimi publik, Shabani ka përgëzuar nismën për renovimin e xhamisë, ndërsa ka arsyetuar propozimin e tij duke kujtuar rolin kyç që Mejtepi ka pasur për dekada me radhë për banorët e Malësisë.

​Sipas tij, Mejtepi ka qenë aneks i xhamisë ku bazat e mësimit fetar i morën shumë hoxhallarë të kësaj zone, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore ky objekt u shndërrua në vatër të dijes ku mësohej gjuha shqipe.

​„Përkatësisht në vitin shkollor 1945/46 ky objekt i kalon shkollës fillore në Zarbicë. Për shumë dekada, deri në ndërtimin e objektit të ri, Mejtepi i shërbeu shkollës fillore ‘Skënderbeu’, nga bankat e së cilës në vitin shkollor 1963/64 doli edhe gjenerata e parë me shkollim të plotë fillor“, ka nënvizuar Shabani.

​Duke u nisur nga këto vlera të trashëgimisë kulturore e arsimore, ai ka kërkuar që ky objekt të mbrohet dhe të përfshihet në planin e restaurimit.

Shpërndaj me të tjerët