SIGURI/Koha për veprim të vendosur kundër armëve të paligjshme

Koha për veprim të vendosur kundër armëve të paligjshme

Instituti për Paqe dhe Siguri (IPS) shpreh shqetësimin e tij të thellë për shtimin e rasteve të përdorimit të armëve të vogla dhe të lehta në Kosovë, të cilat gjatë muajve dhe viteve të fundit kanë rezultuar me dhjetëra të plagosur dhe me humbje tragjike të jetëve njerëzore.

Është e papranueshme që, 27 vite pas përfundimit të luftës, armët e zjarrit vazhdojnë të jenë të pranishme në duart e qytetarëve dhe të përdoren në konflikte të përditshme, mosmarrëveshje personale, ahengje familjare apo ngjarje të tjera që në shumë raste përfundojnë me pasoja fatale.

Prania e armëve të paligjshme nuk është vetëm çështje e rendit publik, por një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, për jetën e qytetarëve dhe për stabilitetin shoqëror. Çdo armë e paligjshme që mbetet në qarkullim përfaqëson një rrezik potencial që mund të shndërrohet në një tragjedi.

Sipas të dhënave të organizatave që monitorojnë kontrollin e armëve në Evropën Juglindore, Kosova vazhdon të përballet me një numër të konsiderueshëm incidentesh që përfshijnë armë zjarri, ndërsa trashëgimia e armëve të mbetura pas luftës vazhdon të jetë një sfidë për institucionet e sigurisë.

Në këtë kontekst, Instituti për Paqe dhe Siguri kërkon:

• Intensifikimin e operacioneve për identifikimin dhe konfiskimin e armëve të paligjshme.
• Fillimin e një fushate gjithëpërfshirëse kombëtare për dorëzimin vullnetar të armëve pa pasoja penale brenda afateve të përcaktuara me ligj.
• Hartimin dhe zbatimin e një strategjie të re shtetërore për reduktimin e armëve të vogla dhe të lehta në posedim të paligjshëm.
• Forcimin e edukimit dhe ndërgjegjësimit publik, veçanërisht tek të rinjtë, mbi pasojat që sjell posedimi dhe përdorimi i armëve.
• Bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet institucioneve të sigurisë, sistemit të drejtësisë, shoqërisë civile dhe mediave për të ndërtuar një kulturë të mosdhunës.

IPS u bën thirrje të gjithë qytetarëve që posedojnë armë pa leje t’i dorëzojnë ato pranë institucioneve kompetente dhe të mos lejojnë që një moment zemërimi, pakujdesie apo papërgjegjësie të shkatërrojë jetë njerëzish dhe familje të tëra.

Një shoqëri demokratike nuk matet me numrin e armëve që posedon, por me nivelin e besimit që qytetarët kanë tek ligji dhe institucionet. Siguria nuk garantohet nga arma në brez, por nga sundimi i ligjit, drejtësia funksionale dhe kultura e dialogut.

Instituti për Paqe dhe Siguri do të vazhdojë të mbështesë çdo iniciativë që kontribuon në uljen e dhunës së armatosur, promovimin e paqes dhe ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Instituti për Paqe dhe Siguri (IPS)

Shpërndaj me të tjerët