ARAIM/ Në UKZ u zhvillua takimi për riakreditimin e programit të studimit Juridik i Përgjithshëm

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u zhvillua vizita e ekipit të ekspertëve në kuadër të procedurës së riakreditimit të programit të studimit Juridik i Përgjithshëm, e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Procesi i vlerësimit u realizua nga ekipi ndërkombëtar i ekspertëve i përbërë nga Anca Monica Ardeleanu, Salvatore Randazzo dhe Jekaterina Bortkevic, të cilët morën pjesë në mënyrë virtuale, ndërsa procedura u koordinua nga përfaqësueset e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi drejtor i përgjithshëm dhe Mimoza Dobra Zyrtare e Lartë për Vlerësim dhe Akreditim.

Gjatë vizitës pati një sërë takimesh me menaxhmentin e Fakultetit Juridik, përfaqësuesit e sigurimit të cilësisë dhe stafin administrativ, bartësit e programit të studimit, stafin akademik, studentët, të diplomuarit, si dhe punëdhënësit dhe palët e tjera të interesit.

Takimi nisi me menaxhmentin e Fakultetit Juridik, ku morën pjesë dekania Prof. Assoc. Dr. Fatmire Krasniqi Miftari, prodekani Prof. Ass. Dr. Vaxhid Sadriu dhe sekretarja e fakultetit, Mr. Sc. Blerta Dushica. Gjatë ditës, ekspertët diskutuan me të gjitha grupet relevante për të vlerësuar cilësinë e programit, përmbushjen e standardeve të akreditimit, përmbajtjen akademike, proceset e sigurimit të cilësisë, bashkëpunimin me institucionet dhe përgatitjen profesionale të studentëve.

Në kuadër të vizitës u zhvilluan gjithashtu takime me studentët aktualë, të diplomuarit dhe përfaqësues të institucioneve publike e private, përfshirë Gjykatën Themelore në Gjilan, Prokurorinë Themelore në Gjilan, Policinë e Kosovës, Komunën e Gjilanit, noterë, përmbarues privatë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët ndanë vlerësimet dhe përvojat e tyre lidhur me cilësinë e programit dhe kompetencat e të diplomuarve.

Vizita përfundoi me takimin përmbyllës ndërmjet ekipit të ekspertëve dhe menaxhmentit të Fakultetit Juridik, ku u përmblodhën përshtypjet e procesit të vlerësimit.

Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Assoc. Dr. Fatmire Krasniqi Miftari, vlerësoi se procesi i riakreditimit paraqet një mundësi të rëndësishme për të reflektuar mbi arritjet dhe për të avancuar më tej cilësinë e programit të studimit.

“Fakulteti Juridik mbetet i përkushtuar për të ofruar arsim cilësor, të bazuar në standardet më të larta akademike dhe në nevojat e tregut të punës. Ky proces i riakreditimit është një dëshmi e angazhimit tonë të vazhdueshëm për përmirësim, transparencë dhe zhvillim institucional. Falënderoj ekipin e ekspertëve, Agjencinë e Kosovës për Akreditim, stafin akademik e administrativ, studentët, të diplomuarit dhe partnerët tanë institucionalë për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre gjatë këtij procesi”, u shpreh dekania Krasniqi Miftari.

Procedura e riakreditimit është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Universitetit Publik “Kadri Zeka” për sigurimin dhe avancimin e cilësisë në arsimin e lartë, në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shpërndaj me të tjerët