Komuna e Gjilanit po vazhdon për të tretin vit me radhë programin e praktikës punuese të dedikuar për nxënësit dhe studentët e kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar sot 100 të rinjtë e të rejat që kanë nisur këtë përvojë praktike në drejtoritë e ndryshme komunale.
Përmes një postimi, kryetari Hyseni ka bërë të ditur se ky program u mundëson të rinjve të njihen nga afër me funksionimin e administratës publike dhe të fitojnë përvojë profesionale.
”Sot pata kënaqësinë t’i vizitoj 100 të rinjtë e të rejat që po zhvillojnë praktikën në drejtoritë e Komunës, ku po njihen nga afër me punën e administratës komunale dhe po fitojnë përvojë profesionale. Ky program është një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e shkathtësive të tyre dhe një urë mes arsimimit dhe tregut të punës”, ka thënë Hyseni.
Në fund, i pari i Gjilanit u ka uruar të gjithë praktikantëve suksese dhe një përvojë sa më të vlefshme gjatë angazhimit të tyre në institucion.
