Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, i shoqëruar nga zyrtari i këtij spitali Kudret Rexhepi, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, drejtorin për Shëndetësi, Halil Musliu, si dhe drejtoreshën e QKMF-së, Dr. Vjollca Kadolli-Halili.
Gjatë këtij takimi, fokusi kryesor i Dr. Afrim Canës dhe krerëve komunalë ishte thellimi i bashkëpunimit ndërinstitucional me synim avancimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
Ndër temat kyçe të diskutimit ishte funksionalizimi i Poliklinikave Specialistike, projekt ky nga i cili përfiton edhe Komuna e Vitisë, si dhe projekti për ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së për vitin 2027.
Në këtë kuadër, u shqyrtua mundësia që pas kalimit në objektin e ri, hapësira ekzistuese e QKMF-së në Viti të shndërrohet në Poliklinikë për ofrimin e shërbimeve specialistike.
Gjithashtu, u diskutua për decentralizimin e shërbimeve mjekësore për t’i sjellë ato sa më pranë qytetarëve, ku bashkëbiseduesit ranë dakar se bashkëpunimi i ngushtë mes Spitalit të Gjilanit dhe institucioneve lokale është kyç për ngritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
