Lojtari i KV Dritës, Erind Qalaj, në çift me Adriatik Berishën, është shpallur kampion i Kosovës në Beach Volley për kategorinë e seniorëve, në kampionatin e organizuar nga Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK).
Ky triumf i madh vjen menjëherë pas suksesit të Qalajt në kategorinë U20, ku po ashtu u kurorëzua me titullin kampion, duke dëshmuar formën e lartë dhe talentin e tij në këtë disiplinë.
Pas fitimit të titullit te seniorët dhe U20, volejbollisti mbetet favoriti kryesor edhe për trofeun në kategorinë U22, çka mund ta bëjë atë kampion absolut në të gjitha kategoritë ku merr pjesë.
Nga klubi i KV Dritës kanë shprehur krenarinë për arritjet e sportistit të tyre, duke i uruar sukses të mëtejshëm në sfidat e radhës.
