KUJTESA E GJILANIT/ Zbulohet kalldrëmi i vjetër gjatë punimeve në bulevard

Punimet e fundit që po zhvillohen në bulevardin e qytetit të Gjilanit kanë nxjerrë në pah një copëz të së kaluarës së kësaj qendre urbane, kalldrëmin e vjetër që dikur mbulonte këtë rrugë kryesore.

​Zbulimi i kësaj shtrese historike ka nxitur reagime dhe propozime për ruajtjen e saj si pjesë e trashëgimisë kulturore të qytetit.

​Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar asambleisti i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu, i cili ka theksuar se dalja në dritë e këtij kalldrëmi është një kujtesë e çmuar e identitetit dhe historisë së Gjilanit.

Dalja në dritë e kalldrëmit të vjetër në Gjilan është një kujtesë e çmuar e historisë sonë. Do të ishte mirë që ky kalldrëm të mos mbulohej apo të humbiste, por të merrej dhe të vendosej në një pjesë të përshtatshme të qytetit, si një monument i vogël që ruan kujtesën e Gjilanit të dikurshëm,” ka deklaruar Kadriu.

​Më tej, ai ka nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së aspekteve të tilla historike për brezat që do të vijnë:

Ruajtja e trashëgimisë kulturore është mënyra më e mirë për t’ua lënë brezave të ardhshëm një copëz të historisë dhe identitetit të qytetit tonë.”

​Në qytete të ndryshme, zbulime të tilla gjatë punimeve infrastrukturore shpesh janë integruar në hapësirat publike ose janë konservuar në formë muzeale në natyrë, për t’u shërbyer qytetarëve si pikë referimi historike.

Mbetet për t’u parë se si do të veprohet nga institucionet përgjegjëse për fatin e kalldrëmit të zbuluar në bulevardin e Gjilanit.

Shpërndaj me të tjerët