ARSIM/ Firma “GjeoTerm” kompleton me klima të gjitha klasat e shkollës në Velekincë

Shkolla e Mesme e Ulët “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë të Gjilanit ka pranuar një donacion të rëndësishëm që do të përmirësojë drejtpërdrejt kushtet e mësimnxënies për nxënësit e kësaj shkolle.

​Përmes një gjesti humanitar, firma “GjeoTerm” me pronar Fetah Kqiku, ka mundësuar montimin pa pagesë të tri klimave të reja në ambientet e shkollës.

Me vendosjen e këtyre pajisjeve, shkolla arrin plotësimin 100% të të gjitha klasave mësimore me klima, duke garantuar kushte optimale si gjatë stinës së dimrit, ashtu edhe gjatë ditëve të nxehta.

​Drejtori i shkollës, Zaim Zymeri, ka shprehur një falënderim publik dhe mirënjohje të thellë për këtë kontribut të çmuar:

​”Firma ‘GjeoTerm’, në shenjë humanizmi dhe mbështetjeje për nxënësit, mundësoi montimin pa pagesë të tri klimave në shkollën tonë. Me këtë donacion plotësohet pajisja e të gjitha klasave mësimore, duke krijuar kushte edhe më të mira e më të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit. Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për pronarin Fetah Kqiku për këtë kontribut. Zoti jua shpërbleftë me të mira dhe ju dhëntë shëndet e mbarësi!”

Ky veprim nga biznesi lokal vlerësohet si një shembull i shkëlqyer i përgjegjësisë shoqërore dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë për arsimin në komunitet.

Shpërndaj me të tjerët