SHËNDETËSI/ Mjeku i UÇK-së do t’i kurojë falas veteranët e Vitisë

Në një takim të zhvilluar sot në Gjilan, kryetari i OVL-UÇK-së, Dega në Viti, Idriz Quni, është pritur nga mjeku dhe veprimtari i njohur, Dr. Xhevat Demiri nga Gjilani.

Nën frymën e bashkëpunimit dhe respektit për sakrificën e çlirimtarëve, është arritur dakaridimi që të gjithë veteranët e UÇK-së nga komuna e Vitisë që kanë nevojë për kujdes shëndetësor, të trajtohen falas pranë ordinancës së Dr. Demirit.

​Dr. Xhevat Demiri njihet për kontributin e tij të çmueshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku ka shërbyer si mjek në Zonën Operative të Karadakut, duke i dalë në ndihmë ushtarëve dhe popullatës civile.

​Kryetari i OVL-UÇK-së në Viti, Idriz Quni, ka bërë të ditur se ky iniciativë humane do të kurorëzohet së shpejti edhe me një marrëveshje zyrtare mirëkuptimi me shkrim.

​Gjatë këtij takimi, Quni shprehu mirënjohjen e tij të thellë në emër të të gjithë bashkëluftëtarëve:

​”Mirënjohje të veçantë për Dr. Xhevat Demirin, i cili edhe pas kaq vitesh vazhdon të jetë pranë bashkëluftëtarëve dhe veteranëve, duke treguar se solidariteti dhe respekti mes nesh nuk përfundojnë me luftën. Në emër të veteranëve të Vitisë, e falënderoj përzemërsisht për gatishmërinë dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme.”

Kjo iniciativë dëshmon edhe një herë se vlera e solidaritetit dhe përkujdesjes për ata që dhanë gjithçka për lirinë e vendit mbetet e gjallë.

Shpërndaj me të tjerët