Më 21 gusht, një nga figurat më të respektuara të kujdesit shëndetësor në Gjilan, infermierja Minavere Dika Sylejmani, kremtoi 65-vjetorin e lindjes dhe përmbylljen zyrtare të një kapitulli të madh profesional: plot 40 vite punë, përkushtim dhe shërbim të palodhshëm në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
E lindur në Smirë të Vitisë, në familjen e arsimtarit të ndjerë Shaip Dika, Minaverja trashëgoi që në fëmijëri dashurinë për arsimin dhe përkushtimin ndaj njerëzve.
Fati e solli që jetën dhe punën t’i ndërtonte në Gjilan, ku gjeti mbështetje të madhe nga familja e saj e re, vjehrri Xhemajl Sylejmani (arsimtar nga Zarbinca e Bujanocit) dhe bashkëshorti i saj, mësimdhënësi i informatikës Ali Sylejmani, i cili ishte krahu i saj i djathtë në çdo hap.
Nga Shërbimi i Vaksinimit te Urgjenca, katër dekada në shërbim të qytetarëve
Për katër dekada me radhë, manteli i bardhë për Minaveren nuk ishte thjesht një profesion, por një mision human.
Ajo shërbeu me përkushtim maksimal në shërbimin e Vaksinimit dhe në Emergjencë.
Ndër vite, duke sfiduar motin e ligë, borën e stuhitë, ajo udhëtoi në çdo fshat, si në Cërnicë, Pogragjë e Llashticë, për t’u dalë në ndihmë pacientëve në ditët e tyre më të vështira.
Përkushtimi i saj nuk kufizohej vetëm brenda orarit të punës. Ajo ka qenë gjithmonë e papërtueshme edhe jashtë orarit zyrtar, e gatshme në çfarëdo kohe t’u përgjigjej thirrjeve të qytetarëve për ndihmë, qoftë për marrjen e një infuzioni apo injeksioni, kudo që e kanë kërkuar.
Përveç profesionalizmit, pacientët dhe bashkëqytetarët do ta kujtojnë gjithmonë për fjalën e ngrohtë, shpresën që dhuronte dhe zemrën e saj të madhe humane.
Forca për të triumfuar mbi dhimbjen e madhe familjare
Sfidat e jetës nuk e kursyen. Shtatë vite më parë, familja e saj u godit rëndë nga ndarja e parakohshme nga jeta e vajzës së vetme, gazetares së njohur të RTK-së, Ardita Sylejmani – Bllaca, e cila u nda nga jeta në Budapest gjatë lindjes.
Përkundër kësaj plage që nuk mbyllet kurrë, Minaverja gjeti forcën të qëndrojë e fortë për familjen e saj.
Sot, motivimi dhe drita në jetën e saj janë tre djemtë (Avdiu, Agoni dhe Arbri), dy nuset (Albanat), dhëndri Shpendi, si dhe nipi e mbesat që i mbushin shtëpinë me gëzim: Narti, Liza, Greta, Roi, Malti, Trevi i vogël dhe bukuroshja Rea, e cila ia heq mallin e madh për të bijën.
Falënderim dhe mesazh dashurie nga familja
Në këtë ditë kaq emocionale, Minavere Sylejmani shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë kolegët e saj në QKMF dhe për institucionin ku shërbeu me nder e krenari.
Nga ana tjetër, familja i ka dërguar një mesazh mjaft prekës në këtë ditë të veçantë:
”Sot po e lë mantelin e bardhë, por ti je krenaria jonë e përhershme. 40 vite nuk janë vetëm vite pune, janë vite jete, sakrifice dhe dashurie për njerëzit.”
