Qyteti i Gjilanit vazhdon me punimet në infrastrukturën rrugore, me qëllim përmirësimin e pamjes dhe kushteve të trafikut urbane.
Përmes një njoftimi të bërë publik në rrjetin social Facebook, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se nga dita e nesërme do të ketë ndërprerje të qarkullimit në një segment të caktuar të qytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, rruga nga Hoteli “Kristal” deri te rruga “Sadullah Brestovci” do të jetë tërësisht e bllokuar për automjetet gjatë kohës sa zhvillohen punimet.
Për të shmangur bllokimet dhe ngarkesën në trafik, autoritetet komunale kanë përcaktuar rrugët alternative për lëvizjen e mjeteve, të cilat janë të shënuara me ngjyrë të gjelbër në hartën e publikuar nga komuna.
Komuna e Gjilanit u bën thirrje të gjithë ngasësve të automjeteve që të respektojnë me kujdes sinjalizimin e vendosur rrugor dhe udhëzimet për qarkullim, me qëllim që trafiku të zhvillohet sa më lehtë dhe i sigurt për të gjithë pjesëmarrësit.
