LOKALR/LDK në Gjilan: Nepotizëm e parregullsi në arsim, shkollat pa ditarë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Dega në Gjilan, ka reaguar ashpër ndaj udhëheqjes komunale, duke adresuar akuza për nepotizëm, mungesë koordinimi brenda Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) dhe vështirësi në përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

​Nëpërmjet një komunikate për media, LDK-ja thekson se pas emërimeve të mëparshme me baza afërsie, së fundmi është bërë edhe emërimi i zyrtarit të Arsimit të Mesëm të Lartë, i cili sipas tyre është baxhanak i vetë drejtorit të Arsimit.

​Sipas opozitës në Gjilan, kjo mënyrë e menaxhimit po reflektohet me vështirësi direkte në terren dhe në ecurinë e procesit edukativ-arsimor.

​”Sot, në prag të fillimit të vitit shkollor, shkollat nuk kanë as ditarë të klasës, ndërsa furnizimi edhe me materiale elementare po has në pengesa. Kjo dëshmon mospërputhje në menaxhim. Drejtoria e Arsimit duhet të mbështesë shkollat e jo të shndërrohet në hapësirë përçarjesh e interesash të ngushta”, thuhet në reagimin e LDK-së.

​Nga kjo parti politike në Gjilan potencojnë se faturën e mungesës së bashkëpunimit brenda DKA-së po e paguajnë shkollat, mësimdhënësit dhe nxënësit, të cilët në vend të reformave dhe ngritjes së cilësisë, po përballen me mungesë të mjeteve bazë të punës.

​”Udhëheqja komunale duhet të japë llogari për emërimet, mënyrën e menaxhimit dhe funksionimin e DKA-së. Një qeverisje që prioritizon rehatimin e njerëzve të afërt përpara sigurimit të mjeteve elementare për shkollat, ka devijuar nga përgjegjësitë e veta. Nxënësit nuk mësojnë me nepotizëm dhe shkollat nuk funksionojnë me preferenca politike”, përfundon komunikata e LDK-së në Gjilan.

Shpërndaj me të tjerët