Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën Operative të Karadakut, Ismet Sylejmani, ka reaguar ashpër ndaj nderimeve shtetërore dhe ushtarake që Serbia po i bën kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.
Përmes një reagimi publik, Sylejmani ka kritikuuar reagimin e plogët të Bashkimit Evropian, duke theksuar se heshtja përballë madhërimit të kriminelëve të luftës përbën tolerancë ndaj Serbisë dhe rivrasje të viktimave.
”Po të ishte Gjykata e Hagës ekskluzivisht gjykatë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbia nuk do të guxonte ta nderonte kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq. Por, meqë drejtësia ndërkombëtare është ndikuar shpesh nga një Europë e pavendosur dhe me standarde të dyfishta, Serbia po i nderon kriminelët e luftës, që është vrasje për herë të dytë e të vrarëve dhe e të masakruarve”, ka deklaruar Sylejmani.
Ai ka shtuar se përballë akteve të tilla do të duhej të kishte protesta dhe reagime të fuqishme publike në të gjithë Evropën dhe botën, për të dënuar tentativat e Serbisë për rishkrimin e historisë.
”Serbia po përpiqet t’i paraqesë kriminelët si heronj, ta rishkruajë historinë dhe ta fshijë përgjegjësinë për gjenocidin, masakrat, dëbimet dhe vuajtjet e shkaktuara. Heshtja përballë madhërimit shtetëror të një krimineli nuk është vetëm mungesë reagimi, por tolerancë absolute ndaj Serbisë”, përfundon reagimi i ish-zëdhënësit të UÇK-së, Ismet Sylejmani.
