Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Dega në Gjilan, ka reaguar ashpër ndaj udhëheqjes komunale, duke adresuar akuza për nepotizëm, mungesë koordinimi brenda Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) dhe vështirësi në përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Nëpërmjet një komunikate për media, LDK-ja thekson se pas emërimeve të mëparshme me baza afërsie, së fundmi është bërë edhe emërimi i zyrtarit të Arsimit të Mesëm të Lartë, i cili sipas tyre është baxhanak i vetë drejtorit të Arsimit.
Sipas opozitës në Gjilan, kjo mënyrë e menaxhimit po reflektohet me vështirësi direkte në terren dhe në ecurinë e procesit edukativ-arsimor.
”Sot, në prag të fillimit të vitit shkollor, shkollat nuk kanë as ditarë të klasës, ndërsa furnizimi edhe me materiale elementare po has në pengesa. Kjo dëshmon mospërputhje në menaxhim. Drejtoria e Arsimit duhet të mbështesë shkollat e jo të shndërrohet në hapësirë përçarjesh e interesash të ngushta”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Nga kjo parti politike në Gjilan potencojnë se faturën e mungesës së bashkëpunimit brenda DKA-së po e paguajnë shkollat, mësimdhënësit dhe nxënësit, të cilët në vend të reformave dhe ngritjes së cilësisë, po përballen me mungesë të mjeteve bazë të punës.
”Udhëheqja komunale duhet të japë llogari për emërimet, mënyrën e menaxhimit dhe funksionimin e DKA-së. Një qeverisje që prioritizon rehatimin e njerëzve të afërt përpara sigurimit të mjeteve elementare për shkollat, ka devijuar nga përgjegjësitë e veta. Nxënësit nuk mësojnë me nepotizëm dhe shkollat nuk funksionojnë me preferenca politike”, përfundon komunikata e LDK-së në Gjilan.
