Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka publikuar bilancin e aktiviteteve javore në trafikun rrugor, ku bëhet e ditur se gjatë periudhës nga 28 gushti deri më 3 shtator 2026 janë shqiptuar gjithsej 1.683 gjoba për kundërvajtësit e rregullave të qarkullimit.
Përveç masave ndëshkuese, gjatë kësaj periudhe kohore Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe Stacionet Policore kanë trajtuar dhe hetuar disa aksidente, prej të cilëve një ka përfunduar me pasojë fatale.
Sipas të dhënave zyrtare, janë hetuar gjithashtu 12 aksidente me të lënduar si dhe 17 të tjera që kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në kuadër të kontrolleve të rregullta dhe planeve operative për rritjen e sigurisë, policia ka marrë masa administrative ndaj shkelësve të ligjit, ku veçohen:
54 ngasësve u është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike;
39 gjoba janë shqiptuar për mospërdorim të rripit të sigurisë;
32 gjoba janë dhënë për përdorim të telefonit celular gjatë ngasjes.
Me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të mjeteve që të rrisin kujdesin dhe të respektojnë me përpikëri rregullat e trafikut rrugor.
”Uleni shpejtësinë. Shpejtësia nuk është krenari, por shkak i tragjedisë. Respektoni rregullat e trafikut, mos përdorni telefonin gjatë vozitjes, vendosni rripin e sigurimit dhe tregoni kujdes ndaj këmbësorëve, respektoni sinjalistikën dhe semaforët. Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në apelin e policisë drejtuar qytetarëve.
