Ish-zëdhënësi i Karadakut: Serbia po nderon kriminelin Mlladiq, Europa po hesht

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën Operative të Karadakut, Ismet Sylejmani, ka reaguar ashpër ndaj nderimeve shtetërore dhe ushtarake që Serbia po i bën kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq.

​Përmes një reagimi publik, Sylejmani ka kritikuuar reagimin e plogët të Bashkimit Evropian, duke theksuar se heshtja përballë madhërimit të kriminelëve të luftës përbën tolerancë ndaj Serbisë dhe rivrasje të viktimave.

​”Po të ishte Gjykata e Hagës ekskluzivisht gjykatë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbia nuk do të guxonte ta nderonte kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq. Por, meqë drejtësia ndërkombëtare është ndikuar shpesh nga një Europë e pavendosur dhe me standarde të dyfishta, Serbia po i nderon kriminelët e luftës, që është vrasje për herë të dytë e të vrarëve dhe e të masakruarve”, ka deklaruar Sylejmani.

​Ai ka shtuar se përballë akteve të tilla do të duhej të kishte protesta dhe reagime të fuqishme publike në të gjithë Evropën dhe botën, për të dënuar tentativat e Serbisë për rishkrimin e historisë.

​”Serbia po përpiqet t’i paraqesë kriminelët si heronj, ta rishkruajë historinë dhe ta fshijë përgjegjësinë për gjenocidin, masakrat, dëbimet dhe vuajtjet e shkaktuara. Heshtja përballë madhërimit shtetëror të një krimineli nuk është vetëm mungesë reagimi, por tolerancë absolute ndaj Serbisë”, përfundon reagimi i ish-zëdhënësit të UÇK-së, Ismet Sylejmani.

Shpërndaj me të tjerët