​HISTORI FUTBOLLI/ Dita e rrallë më 1996, kur Drita habiti të gjithë duke zbritur nga autobusi direkt në fushë

Në vitin 1995, në një periudhë të vështirë për sportin kosovar kur futbolli zhvillohej në fusha të improvizuara për shkak të dëbimit të skuadrave shqiptare nga stadiumet e tyre nga pushteti i atëhershëm serb, një ngjarje e veçantë do të mbetej në memorien e futbollit gjilanas.

​Pronari i agjencisë turistike “Fati”, Shengyll Imami, një nga kontribuesit e mëdhenj të sportit, sapo kishte blerë një autobus të ri.

Në atë kohë po zhvillohej kampionati i edicionit 1995/96 dhe Drita përgatitej të luante si vendase kundër Lirisë së Prizrenit në fushën e fshatit Malishevë të Gjilanit.

​Një ide e dashamirit të sportit, Agron Emini – “Pinki”, do të ndryshonte mënyrën se si skuadra udhëtonte drejt kësaj ndeshje.

Pinki i propozoi pronarit të autobusit, Shengyllit, që lojtarët dhe shtabi teknik i Dritës të udhëtonin direkt me autobusin e ri për në Malishevë.

​Shengyli e aprovoi menjëherë këtë ide, duke i thënë Pinkit të merrej vesh me drejtuesit e klubit për detajet organizative.

Pasi morën dritën jeshile, u vendos që autobusi bashkë me shoferin t’i viheshin në dispozicion skuadrës.

Ekipi u mblodh te stadiumi i qytetit, hipi në autobus dhe u nis drejt e në fushën e futbollit në Malishevë.

​Atë ditë të diel, zbritja e lojtarëve të Dritës nga autobusi direkt në fushë shkaktoi habi dhe emocion jo vetëm te skuadra mysafire nga Prizreni, por edhe te numri i madh i shikuesve të pranishëm.

Kjo pasi në atë periudhë udhëtimet bëheshin pothuajse gjithmonë me vetura private të siguruara nga vullnetarët dhe dashamirët e klubit.

​Ajo ditë u përmbyll në mënyrën më të mirë edhe në fushë, Drita shënoi fitore minimale ndaj Lirisë me rezultat 1:0, duke e bërë këtë ngjarje një histori të veçantë solidariteti dhe dashurie për sportin në ditët më të vështira.

Shpërndaj me të tjerët