Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor dhe stacioneve policore, ka vazhduar zbatimin e planeve operative për rritjen e sigurisë në komunikacion gjatë periudhës 4 deri më 10 shtator 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, përgjatë kësaj jave zyrtarët policorë kanë shqiptuar gjithsej 1,597 gjoba për kundërvajtësit e rregullave të trafikut rrugor.
Përveç gjobave, masa e ndalimit të drejtimit të mjetit motorik (heqja e patentë shoferit) u është shqiptuar 41 ngasësve.
Gjatë të njëjtit hark kohor, njësitet policore kanë hetuar gjithsej 33 aksidente trafiku, prej të cilave 17 kanë përfunduar me persona të lënduar, ndërsa 16 të tjera kanë kaluar vetëm me dëme materiale.
Nisur nga fillimi i vitit të ri shkollor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka përsëritur apelin ndaj të gjithë pjesëmarrësve në trafik, e veçanërisht ndaj drejtuesve të automjeteve.
Policia kërkon rritje të kujdesit dhe respektim të kufizimeve të shpejtësisë pranë objekteve shkollore, për shkak të pranisë më të madhe të fëmijëve dhe nxënësve në rrugë.
