Pas një sëmundjeje të rëndë dhe të shkurtër, ka ndërruar jetë Prof. Dr. Ibrahim Behluli, mjek, anatom, gjinekolog dhe profesor i shquar i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
I lindur në vitin 1952 në Ranatoc të Preshevës (me një pjesë të familjes së ngushtë në Gjilan), ai përfundoi studimet e mjekësisë në Prishtinë në vitin 1977.
Më pas mbrojti magjistraturën (1983) dhe doktoratën (1987), ndërsa në vitin 1997 përfundoi edhe specializimin në gjinekologji me obstetrikë.
Nga viti 2001 deri në pensionimin e tij më 2017, ai shërbeu si profesor i rregullt i Anatomisë.
Gjatë karrierës së tij të pasur akademike, Profesor Behluli ishte Shef i Katedrës së Anatomisë për dy mandate, anëtar i Senatit të UP-së, si dhe mentor e recensent i punimeve dhe teksteve të shumta shkencore, duke arsimuar e edukuar breza të tërë mjekësh.
Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Behluli, kolegëve dhe miqve për këtë humbje të madhe.
Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në Prishtinë, në varrezat e Dragodanit.
