MORTORE/Ndërron jetë Prof. Dr. Ibrahim Behluli, ish-profesor i Anatomisë në Fakultetin e Mjekësisë

Pas një sëmundjeje të rëndë dhe të shkurtër, ka ndërruar jetë Prof. Dr. Ibrahim Behluli, mjek, anatom, gjinekolog dhe profesor i shquar i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

​I lindur në vitin 1952 në Ranatoc të Preshevës (me një pjesë të familjes së ngushtë në Gjilan), ai përfundoi studimet e mjekësisë në Prishtinë në vitin 1977.

Më pas mbrojti magjistraturën (1983) dhe doktoratën (1987), ndërsa në vitin 1997 përfundoi edhe specializimin në gjinekologji me obstetrikë.

​Nga viti 2001 deri në pensionimin e tij më 2017, ai shërbeu si profesor i rregullt i Anatomisë.

Gjatë karrierës së tij të pasur akademike, Profesor Behluli ishte Shef i Katedrës së Anatomisë për dy mandate, anëtar i Senatit të UP-së, si dhe mentor e recensent i punimeve dhe teksteve të shumta shkencore, duke arsimuar e edukuar breza të tërë mjekësh.

​Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Behluli, kolegëve dhe miqve për këtë humbje të madhe.

​Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në Prishtinë, në varrezat e Dragodanit.

Shpërndaj me të tjerët