DREJTËSI/Pensionohet gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Gjilan, Luljetë Shabani

Gjyqtarja e Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Kundërvajtës në Gjykatën Themelore në Gjilan, Luljetë Shabani, ka përmbyllur sot zyrtarisht karrierën e saj në sistemin e drejtësisë, me rastin e arritjes së moshës së pensionimit.

​Me rastin e kësaj dite, drejtuesit e Gjykatës Themelore në Gjilan, kolegët gjyqtarë dhe stafi administrativ kanë shprehur falënderimet e tyre për përkushtimin dhe kontributin e saj shumëvjeçar në dhënien e drejtësisë, duke i uruar shëndet dhe mbarësi në etapën e re të jetës.

Kush është Luljetë Shabani?

​Luljetë Shabani u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1987, ndërsa provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2003.

Hapat e parë profesionalë i nisi gjatë periudhës 1988–1989 me kryerjen e praktikës profesionale në Kuvendin Komunal të Gjilanit.

​Paralelisht me angazhimin në fushën e drejtësisë, nga viti 1997 deri në vitin 2000 ajo punoi edhe si profesoreshë në Gjimnazin “Ismajl Qemali” në Kamenicë.

​Rrugëtimin si gjyqtare e nisi në vitin 2000 në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje, detyrë të cilën e ushtroi deri në fund të vitit 2012.

Me reformën në sistemin gjyqësor, më 1 janar 2013 ajo u emërua gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Kundërvajtje në Gjykatën Themelore në Gjilan.

​Më pas, nga janari i vitit 2015 shërbeu në Divizionin Penal, për t’u rikthyer sërish në vitin 2025 në Divizionin e Kundërvajtjes, ku edhe përmbylli karrierën e saj profesionale.

Shpërndaj me të tjerët