SPORT/Gjilani sfidon Prishtinën nën reflektorë – ndeshja i dedikohet Arianit Robellit

Sonte nga ora 19:00, SC Gjilani do të jetë nikoqir i liderit aktual të tabelës, FC Prishtinës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 7-të të Superligës së Kosovës në futboll.

​Gjilanasit kanë një mundësi të mirë për t’i shkaktuar humbjen e parë Prishtinës, e cila ka pasur një start mjaft të mirë me 5 fitore dhe 15 pikë të tubuara, duke pasur edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në anën tjetër, Gjilani hyn në këtë përballje pas dy ndeshjeve të forta: fitores 2:0 ndaj Ballkanit dhe barazimit pa gola (0:0) në derbin lokal kundër Dritës.

​Kjo përballje do të ketë edhe një ngarkesë të veçantë emocionale.

Nga taborri gjilanas është bërë e ditur se sonte do të luhet për tifozin e tyre, Arianit Robelli, i cili ndërroi jetë dje pas një sëmundjeje të rëndë.

Gjithashtu, tifogrupi “Skifterat” pritet të shfaqë një koreografi të veçantë në shenjë respekti dhe nderimi për Arianitin.

​Aktualisht, Prishtina prin në tabelë me 15 pikë (nga 5 ndeshje të fituara), ndërsa Gjilani zë pozitën e katërt me 11 pikë të tubuara.

Shpërndaj me të tjerët