Me përkrahjen e OSBE-së, sot në Gjilan është mbajtur dëgjimi buxhetor me gratë për Projektbuxhetin e vitit 2027, si dhe për vlerësimet e hershme buxhetore për periudhën 2028–2029.
Në këtë takim morën pjesë Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Krenare Latifi-Kqiku, Drejtoresha e Kadastrit, Eljesa Rashiti, Drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, si dhe Drejtori i Buxhetit dhe Financave, Avdyl Kastrati.
Po ashtu, të pranishme ishin përfaqësuese të organizatave të grave, shoqërisë civile, gra afariste, profesioniste, punëtore, fermere dhe përfaqësuese të komuniteteve lokale.
Gjatë këtij dëgjimi publik, pjesëmarrëset paraqitën kërkesat, nevojat dhe propozimet e tyre konkrete, me qëllim që prioritetet e grave të përfshihen sa më mirë në planifikimin dhe shpërndarjen e drejtë të buxhetit të komunës.
Nga Komuna e Gjilanit shprehën falënderime për OSBE-në për mbështetjen e organizimit, si dhe për të gjitha pjesëmarrëset për diskutimin konstruktiv, duke ritheksuar përkushtimin për transparencë, gjithëpërfshirje dhe buxhetim të përgjegjshëm gjinor.
