Në prag të hyrjes në stinën e vjeshtës, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Gjilanit, në bashkëpunim me partnerët institucionalë dhe organizatat e shoqërisë civile, ka ndërmarrë një aksion mbështetës për familjet që përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale në këtë komunë.
Drejtoresha e kësaj drejtorie, Mimoza Kadriu, bëri të ditur se ky ushtrim mbështetjeje ka për synim që të zbusë sfidat e përditshme dhe të lehtësojë plotësimin e nevojave bazë për këto kategori sociale.
Ajo ka shprehur falënderime për bashkëpunimin dhe kontributin e treguar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, si dhe nga OJQ “Nënë Tereza”, duke vlerësuar lart solidaritetin e tyre në terren.
“Kujdesi për qytetarët dhe mbështetja e familjeve që kanë më shumë nevojë për përkrahje janë përgjegjësi e përbashkët. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe solidaritetit mund të ndërtojmë një shoqëri më të kujdesshme dhe më gjithëpërfshirëse,” ka deklaruar drejtoresha Kadriu.
