Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, ka paraqitur sot para Kuvendit Komunal detajet e projektbuxhetit për vitin 2027, i cili kap vlerën e 43,586,882 eurove, si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2028 dhe 2029.
Buxheti i vitit 2027 shënon një rritje prej 1,657,957 eurosh, apo 3.95 për qind krahasuar me atë të vitit paraprak.
Ky dokument është hartuar në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Financave dhe pas një cikli dëgjimesh e konsultimesh publike me qytetarët, të zhvilluara nga muaji qershor deri në shtator.
Burimet e financimit
Buxheti i vitit 2027 planifikohet të financohet nga dy burime kryesore:
Financimi qendror dhe grantet: 37,428,112 euro
Të hyrat vetanake komunale: 6,158,770 euro (14.13% e buxhetit të përgjithshëm)
Në kuadër të të hyrave vetanake, përfshihen 2.68 milionë euro nga tatimi në pronë, mbi 693 mijë euro nga tatimi në tokë dhe rreth 2.77 milionë euro nga të hyrat jotatimore.
Ndarja sipas kategorive ekonomike
Struktura e shpenzimeve sipas kategorive ekonomike përfshin:
Paga dhe mëditje: 23,817,512 euro (54.64%)
Mallra dhe shërbime: 9,666,830 euro (22.18%)
Investime kapitale: 6,877,785 euro (15.78%)
Subvencione dhe transfere: 2,302,755 euro (5.28%)
Shpenzime komunale: 922,000 euro (2.12%)
Ndarja sipas sektorëve
Në ndarjen institucionale, sektori i arsimit vazhdon të mbajë pjesën më të madhe të buxhetit komunal:
Arsimi: 21,248,447 euro (48.75%)
Administrata komunale: 16,954,833 euro (38.90%)
Shëndetësia: 5,383,602 euro (12.35%)
Projektet kryesore kapitale
Nga shuma prej afro 6.88 milionë eurosh e paraparë për investime kapitale në vitin 2027, janë veçuar disa nga projektet kryesore:
2,126,785 euro për bashkëfinancim të projekteve me donatorë;
900,000 euro për shpronësime të ndërlidhura me planet urbane;
500,000 euro për rregullimin e rrugëve në zonën e parë dhe të dytë të qytetit;
399,000 euro për infrastrukturën rrugore në PRRU Fidanishtë 2;
300,000 euro për pajisjen e shkollave me tabela digjitale;
280,000 euro për fazën e parë të varrezave të reja;
280,000 euro për rrugë dhe kanalizim fekal në Cërnicë;
195,716 euro për projektin e integruar të Bulevardit të Qytetit.
Drejtori Avdyl Kastrati kërkoi nga drejtoritë përkatëse menaxhim efikas dhe raportim të rregullt për ecurinë e projekteve, ndërsa konfirmoi se dokumenti i miratuar do t’i dorëzohet Ministrisë së Financave brenda afatit zyrtar më 30 shtator 2026.
