FINANCA / Detajet e buxhetit të Gjilanit për vitin 2027

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, ka paraqitur sot para Kuvendit Komunal detajet e projektbuxhetit për vitin 2027, i cili kap vlerën e 43,586,882 eurove, si dhe vlerësimet e hershme për vitet 2028 dhe 2029.

​Buxheti i vitit 2027 shënon një rritje prej 1,657,957 eurosh, apo 3.95 për qind krahasuar me atë të vitit paraprak.

Ky dokument është hartuar në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Financave dhe pas një cikli dëgjimesh e konsultimesh publike me qytetarët, të zhvilluara nga muaji qershor deri në shtator.

​Burimet e financimit

​Buxheti i vitit 2027 planifikohet të financohet nga dy burime kryesore:

​Financimi qendror dhe grantet: 37,428,112 euro

​Të hyrat vetanake komunale: 6,158,770 euro (14.13% e buxhetit të përgjithshëm)

​Në kuadër të të hyrave vetanake, përfshihen 2.68 milionë euro nga tatimi në pronë, mbi 693 mijë euro nga tatimi në tokë dhe rreth 2.77 milionë euro nga të hyrat jotatimore.

​Ndarja sipas kategorive ekonomike

​Struktura e shpenzimeve sipas kategorive ekonomike përfshin:

​Paga dhe mëditje: 23,817,512 euro (54.64%)

Mallra dhe shërbime: 9,666,830 euro (22.18%)

​Investime kapitale: 6,877,785 euro (15.78%)

Subvencione dhe transfere: 2,302,755 euro (5.28%)

Shpenzime komunale: 922,000 euro (2.12%)

​Ndarja sipas sektorëve

​Në ndarjen institucionale, sektori i arsimit vazhdon të mbajë pjesën më të madhe të buxhetit komunal:

​Arsimi: 21,248,447 euro (48.75%)

​Administrata komunale: 16,954,833 euro (38.90%)

Shëndetësia: 5,383,602 euro (12.35%)

​Projektet kryesore kapitale

​Nga shuma prej afro 6.88 milionë eurosh e paraparë për investime kapitale në vitin 2027, janë veçuar disa nga projektet kryesore:

​2,126,785 euro për bashkëfinancim të projekteve me donatorë;

900,000 euro për shpronësime të ndërlidhura me planet urbane;

​500,000 euro për rregullimin e rrugëve në zonën e parë dhe të dytë të qytetit;

​399,000 euro për infrastrukturën rrugore në PRRU Fidanishtë 2;

​300,000 euro për pajisjen e shkollave me tabela digjitale;

280,000 euro për fazën e parë të varrezave të reja;

​280,000 euro për rrugë dhe kanalizim fekal në Cërnicë;

​195,716 euro për projektin e integruar të Bulevardit të Qytetit.

​Drejtori Avdyl Kastrati kërkoi nga drejtoritë përkatëse menaxhim efikas dhe raportim të rregullt për ecurinë e projekteve, ndërsa konfirmoi se dokumenti i miratuar do t’i dorëzohet Ministrisë së Financave brenda afatit zyrtar më 30 shtator 2026.

Shpërndaj me të tjerët