Banorët e rrugës “Haki Myderizi” në lagjen “Dardani 1” të Gjilanit po përballen prej më shumë se tre muajsh me një trotuar të lënë në gjendje të shkatërruar dhe me zhavorr, i cili po vështirëson dukshëm lëvizjen e lirë të këmbësorëve.
Sipas banorëve të kësaj lagjeje, situata më e rënduar paraqitet për nënat me karroca të fëmijëve dhe personat me aftësi të kufizuara, të cilët detyrohen të dalin në rrugën kryesore për të kaluar atë pjesë, duke u ekspozuar direkt ndaj rrezikut nga komunikacioni i veturave.
Rreziku është rritur edhe më shumë tani kur ka bërë një muaj nga fillimi i vitit të ri shkollor, pasi nxënësit e kësaj lagjeje përballen çdo ditë me vështirësi gjatë vajtje-ardhjes në shkollë, duke u detyruar të ecin në rrugë bashkë me automjetet.
Pengesa ka ardhur si pasojë e një ndërhyrjeje të mëparshme pikërisht para një shtëpie private, ku pronari kishte tentuar të ndërhynte në trotuar pa lejen e organeve kompetente.
Lidhur me këtë problematikë, Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, Isa Agushi, ka sqaruar se organet komunale kanë ndërmarrë masat e nevojshme ligjore ndaj pronarit, mirëpo zgjidhja ka ngecur te gjetja e materialit adekuat.
”E kemi gjobitur, ia kemi ndaluar me shtruar asfalt dhe ka mbetur t’i shtrojë kubëzat, por nuk po mundet me gjetë të llojit të njëjtë,” ka deklaruar Agushi.
Pavarësisht masave të marra, si Komuna ashtu edhe pronari i shtëpisë duhet të gjejnë një rrugëzgjidhje përfundimtare, pasi kjo zhagitje e madhe duhet të ketë një kufi.
Banorët e lagjes “Dardani 1” kërkojnë me ngulm ndërhyrje të shpejtë e praktike, në mënyrë që të lirohet hapësira publike dhe të evitohet rreziku i përditshëm për fëmijët dhe këmbësorët e tjerë.
