Zhongleri i njohur kosovar dhe profesori i matematikës nga Smira e Vitisë, Agim Agushi, ka marrë një ftesë të veçantë zyrtare nga Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë.
Agushi është ftuar zyrtarisht të marrë pjesë në një ceremoni festive që do të organizohet më 16 tetor 2026, me rastin e dorëzimit dhe dhurimit të certifikatës së tij të Rekordeve Guinness për hedhjen e topit me kokë, e cila do të ruhet në këtë muze historik.
Në ftesën zyrtare të nënshkruar nga drejtoria e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, vlerësohet lart akti dhe kontributi i rekordmenit kosovar:
“Ky gjest fisnik përbën një vlerë të veçantë për institucionin tonë, duke dëshmuar se arritjet e shqiptarëve meritojnë të ruhen, të vlerësohen dhe të përcillen te brezat e rinj. Do të jetë kënaqësi dhe nder për Muzeun Kombëtar të Pavarësisë t’ju mirëpresë dhe të ndajë me ju këtë moment domethënës.”
Ceremonia zyrtare do të mbahet më 16 tetor, duke filluar nga ora 10:30, në ambientet e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë, ku certifikata e rekordit botëror të Agim Agushit do të zërë vendin e saj si pjesë e trashëgimisë dhe arritjeve të spikatura të shqiptarëve./dita24h /
