MORTORE/Ndahet nga jeta anesteziologu i njohur nga Gjilani, Dr. Ukshin Ismaili

Në orët e para të mëngjesit të së hënës ka ndërruar jetë Dr. Ukshin Ismaili, një nga anesteziologët e parë në Kosovë dhe ish-drejtor i Spitalit Rajonal të Gjilanit.

Lajmin e hidhur për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur familja e të ndjerit përmes një njoftimi mortor.

​Dr. Ukshin Ismaili ishte një nga figurat më të respektuara të mjekësisë në rajonin e Anamoravës.

Pas përfundimit të specializimit në vitin 1988, ai i përkushtoi dekada të tëra shërbimit shëndetësor, duke dhënë një kontribut themelor në ngritjen dhe zhvillimin e shërbimit të anesteziologjisë në Spitalin e Gjilanit.

Përkushtimi dhe humanizmi i tij ndaj pacientëve në periudhat më të vështira,  para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, e bënë atë një emër të çmuar mes kolegëve dhe të gjithë qytetarëve.

Si drejtues i Spitalit Rajonal të Gjilanit, ai la gjurmë të rëndësishme në menaxhimin dhe avancimin e shërbimeve mjekësore lokale.

Përveç veprimtarisë në mjekësi, Dr. Ismaili ishte i angazhuar edhe në jetën publike e politike, si anëtar i strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan.

Ndarja e tij nga jeta është cilësuar si një humbje e madhe për familjen, komunitetin mjekësor dhe gjithë qytetin e Gjilanit.

​Sipas njoftimit të familjes, mbledhja komemorative në nderim të jetës dhe veprës së tij do të organizohet të martën, më 13 tetor 2026, në orën 11:00 në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, ndërsa ceremonia e varrimit do të bëhet po të martën, pas namazit të drekës në orën 13:00, në varrezat e fshatit Malishevë.

Shpërndaj me të tjerët